GJKKO miraton kërkesën e SPAK , avokati Besart Logu vihet në “arrest shtëpie”, akuzohet për ndikim të paligjshëm

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar miratimin e masës “Arrest në shtëpi” ndaj avokatit Besart Logu. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 91 të datës 9 shtator 2025, ka miratuar kërkesën e prokurorisë, duke vendosur që avokati të qëndrojë në arrest shtëpie. Ky vendim vjen si pasojë e “dyshimeve të arsyeshme”, sipas SPAK, të mbështetura nga prova konkrete, se Besart Logu ka kryer veprën penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga Kodi Penal.
Masa e sigurisë u ekzekutua sot, më 10 shtator 2025, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi penal dhe hetimet
Procedimi penal u regjistrua nga Prokuroria e Posaçme më datë 27 nëntor 2024, pas një kallëzimi nga shtetasi S.C.
Sipas SPAK, kallëzimi përfshinte akuzat për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit, hetimet proaktive, të zhvilluara nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zbuluan se më datë 13 dhjetor 2024, i hetuari B. L. mori shumën prej 8.000 euro.
“Kjo shumë, e dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit, dyshohet se është marrë me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që trajtonin një çështje penale në ngarkim të klientit të tij, S.C. në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja në fjalë lidhej me vepra penale të rënda, përfshirë “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.”, njofton SPAK.
Gjetjet kryesore
Sipas akuzës, hetimet kanë nxjerrë në pah se shuma prej 8.000 euro nuk ishte një pagesë për shërbime avokatie, por një përpjekje për të korruptuar zyrtarë të drejtësisë.
Konkretisht, sipas SPAK, avokati Besart Logu kishte premtuar se paratë do t’u dorëzoheshin prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve në këmbim të lirimit nga burgu të klientit të tij, S.C. Megjithatë, ky premtim nuk u realizua.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




