GJKKO pranon dëshmitarët në procesin ndaj Laert Haxhiut. I penduari i drejtësisë dëshmon më 29 prill

Aktualitet | 6 muaj më parë

Në seancën gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, avokati i tij kërkoi thirrjen e dëshmitarëve për 14 episodet për të cilat akuzohet i pandehuri, duke argumentuar se e gjithë çështja mbështetet vetëm mbi deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, pa prova të tjera që i vërtetojnë ato.

Nga ana tjetër, prokurori Behar Dibra u shpreh se një pjesë e dëshmitarëve nuk duket se do të kenë dobi për gjykimin, por vendimi i takon gjykatës. Ai kërkoi gjithashtu thirrjen e vetë Tafanit si dëshmitar.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata pranoi marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve që janë marrë më herët në pyetje nga prokuroria. Për dëshmitarët e tjerë, do të pritet qëndrimi i prokurorit.

Seanca e radhës u caktua më 29 prill, ora 08:30, ku pritet të pyetet bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani.

Sipas SPAK, Laert Haxhiu akuzohet se ka drejtuar grupin e tij kriminal në organizimin e atentateve dhe shpërthimeve me eksploziv kundër rivalëve, duke vepruar nga prilli 2021 deri në maj 2023, kur u arrestua në Greqi. Grupi dyshohet se ka kryer akte konkrete për eliminimin e personave të lidhur me grupin e Aldo Bares, të cilët Haxhiu i konsideronte përgjegjës për vrasjen e kushëririt të tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme