Gjurmët e klimës në zjarret evropiane, shkencëtarët llogarisin se ndryshimet klimatike i bënë zjarret në Spanjë 20 herë më të mundshme

Gjurmët e ndryshimeve klimatike janë shfaqur hapur në kushtet ekstreme të motit që shkaktuar zjarret shkatërruese të kësaj jave në Spanjë dhe Francë. Dy studime të reja shkencore të publikuara të enjten konfirmojnë se ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu ka rritur ndjeshëm shkallën e djegies në Evropën Jugore gjatë tetë viteve të fundit, duke e bërë mbrojtjen nga vatrat e zjarrit gjithnjë e më të vështirë.
Ndikimi i ngrohjes në Spanjë dhe Francë
Sipas një analize të shpejtë të kryer nga rrjeti ndërkombëtar i kërkuesve World Weather Attribution (WWA), ndryshimet klimatike të shkaktuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile i bënë kushtet e nxehta dhe të thata përgjegjëse për zjarret rekord në Spanjë 20 herë më të mundshme. Në të njëjtën kohë, shanset për kushte ekstreme zjarri në Francë janë dyfishuar.
Ngrohja e regjistruar gjatë 26 viteve të fundit ka trefishuar gjasat e rrezikut të rëndë nga zjarret në territorin spanjoll dhe i ka rritur ato me 40% në atë francez.
“Ndryshimi në këto kushte të motit të zjarreve në Spanjë është me të vërtetë jashtëzakonisht i fortë dhe, mendoj, është një nga ndryshimet më të mëdha që kam parë.”, tha Friederike Otto, shkencëtare e klimës në Imperial College of London
Studiuesit theksojnë se Spanja u përball me verën e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë pas një janari tepër të lagësht që nxiti rritjen e bimësisë, e cila më pas u tha nga thatësira duke u kthyer në lëndë djegëse. Përveç kësaj, braktisja e tokave bujqësore në Spanjë dhe pyjet e dendura të pishave në rajonin e Bordeaux në Francë e përkeqësuan më tej përhapjen e flakëve.
Një studim i dytë i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports zbuloi se numri i ditëve me mot ekstrem të prirur ndaj zjarreve në Evropën Jugore është rritur nga rreth 10 ditë në vit sa ishte në dekadat e mëparshme, në rreth 25 ditë aktualisht. Për më tepër, këto ditë kritike janë sot 50% më intensive në krahasim me periudhën 1981–2010.
Studiuesit vënë në dukje se megjithëse numri i zjarreve dhe sipërfaqja e djegur kishin pësuar rënie nga vitet 1980 deri në vitin 2018 falë teknikave më të mira të shuarjes, përparimi i ndryshimeve klimatike e ka mbingarkuar dhe zhvlerësuar këtë përmirësim logjistik.
“Nuk ka rëndësi se sa burime ose sa para keni, thjesht nuk mund ta ndaloni përhapjen e një zjarri kur moti është kaq ekstrem. Ndikimi i klimës është kaq ekstrem në ditët e sotme sa është thjesht i mahnitshëm.”, theksoi Raúl Cordero, shkencëtar i klimës në Universitetin e Groningenit
Thirrja e ekspertëve për përballje me burimin e problemit
Ekspertët e jashtëm të fushës mbështesin gjetjet e dy raporteve, duke theksuar se ngrohja globale po i kthen rreziqet teorike në realitet të përditshëm.
“Ne gjithmonë e kemi ditur se zjarret ndizen më lehtë dhe përhapen më shpërthyes në kushte të nxehtësisë ekstreme dhe thatësirës. Këto gjetje e bëjnë të qartë se ndryshimi i klimës nuk është vetëm një problem i së ardhmes, por është tashmë këtu.”, tha Jacob Bendix (Universiteti Syracuse) & John Abatzoglou (UC Merced)
Shkencëtarët nëvizonjë se përshtatja ka kufijtë e saj fizikë dhe se e vetmja zgjidhje afatgjatë mbetet ndërprerja e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



