Gjykata amerikane rikthen përkohësisht tarifat e Trump

Tarifat globale të Trump janë rivendosur përkohësisht, pasi Gjykata Federale e Apelit e SHBA-së miratoi kërkesën e qeverisë amerikane për të “ngrirë” përkohësisht vendimin e një gjykate më të ulët që anuloi shumicën e tarifave të vendosura nga presidenti amerikan.
Kështu, pezullimi i përkohshëm i jep administratës Trump mundësinë për të mbajtur tarifat në fuqi, ndërsa Gjykata e Apelit shqyrton argumentet ligjore të të dyja palëve.
Në thelb, vendimi i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Federale të Qarkut rikthen aftësinë e Trump për të vendosur tarifa duke përdorur kompetencat emergjente që ai shpalli në fillim të këtij viti. Gjykata e Apelit urdhëroi gjithashtu të dyja palët të paraqesin argumente me shkrim për çështjen e bllokimit të tarifave, të cilat do të paraqiten deri në fillim të muajit të ardhshëm.
Vendimi vjen pasi Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare bllokoi tarifat globale të Trump, duke thënë se presidenti kishte tejkaluar autoritetin e tij. Administrata Trump kërcënoi se do të shkonte në Gjykatën e Lartë nëse nuk do ishte në gjendje të bllokonte vendimin.
Pas vendimit të Apelit, tarifat do të mbeten në fuqi ndërsa çështja kalon nëpër gjykata.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




