Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës, ish-presidenti mbetet në burg

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili do të vazhdojë të mbetet në burg.

Meta kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë në mënyrë që kjo gjykatë të prishte vendimet e mëparshme të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe nga Apeli i GJKKO-së.

Por Gjykata e Lartë e përbërë nga trupi gjykues, relatorja Albana Boksi dhe anëtarët Sokol Binaj dhe Medi Bici kanë rrëzuar rekursin e ish-presidentit Meta.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të 2024-ës, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

SPAK e mbylli hetimin më 28 korrik, ndërsa dosja u dërgua për gjykim në fund të gushtit. Hetimi ndaj tij bashkon tre çështje kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Seanca paraprake në Gjykatën e Lartë të Krimeve të Organizuar (GJKKO) për ish-presidentin Ilir Meta, ishte parashikuar të mbahej më 9 tetor, por u shty për ditën e sotme (16 tetor) për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme