Kosovë- Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për seancën konstituive, reagojnë drejtuesit e forcave politike

Albin Kurti, kryeministri në detyrë në Kosovë, deklaroi të hënën se qeveria e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë kanë respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ai shpreh shqetësim për vonesën në publikimin e aktgjykimit të fundit, duke lënë të kuptohet se kjo mund të sugjerojë një vendim “pazakonshëm të padrejtë”. Kurti thekson se, për dallim nga një vendim i mëparshëm, kësaj radhe është publikuar vetëm njoftimi, ndërsa aktgjykimi i plotë mungon. Ai mendon se kjo vonesë nuk është shenjë e mirë dhe se mund të ketë mospërputhje mes dy vendimeve të Gjykatës.
Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar pas publikimit të plotë të aktgjykimit, duke e cilësuar atë si “të prerë dhe të detyrueshëm”. Ai thekson se seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive. Krasniqi i bën thirrje kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit me votim të hapur, duke shtuar se çdo vonesë dëmton shtetin dhe qytetarët.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e përshëndetur atë si një “fitore të madhe për demokracinë dhe ligjshmërinë”. LDK-ja thekson se Gjykata riafirmon se kryesuesi i seancës konstituive nuk mund të veprojë jashtë përcaktimeve kushtetuese, duke konfirmuar se imponimi i votimit të fshehtë ishte antikushtetues.
Sipas LDK-së, ky vendim vërteton qëndrimin e tyre fillestar dhe u bën thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë plotësisht aktgjykimin, në mënyrë që Kuvendi të vazhdojë menjëherë me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




