Gjyshi 90-vjeçar kërkon kthimin e 5 nipërve nga Siria, Dylber Shuli apel për ndihmë pas rikthimit të Eva Dumanit

Aktualitet | 9 muaj më parë

Pas rikthimit në Shqipëri të Eva Dumanit nga Siria, 90-vjeçari Dylber Shuli vijon të presë me shpresë kthimin e pesë nipërve dhe mbesave të tij, të cilët ndodhen ende në Siri prej afro 10 vitesh.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1, Dylber Shuli rrëfeu dramën familjare që ka nisur që në vitin 2013, kur djali i tij, Krenar Shuli, u largua drejt Sirisë së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Gjatë qëndrimit atje, çifti solli në jetë edhe një djalë tjetër, ndërsa edhe mbesa e madhe, Elona, lindi një fëmijë në Siri.

Sipas tij, Krenari dhe bashkëshortja humbën jetën në Siri, duke lënë pas pesë fëmijë në kushte të vështira dhe të pasigurta. I moshuari tregon se komunikimet me ta kanë qenë të rralla dhe gjithmonë me frikë.

“Eva dhe Elona kanë si motra, unë dua ta gjej por nuk po e gjej dot . Do të shkoj në Tiranë të takoj Evën. Evën dua ta pyes: si janë dhe ku janë. Për herë të fundit më kanë thënë: O baba bëj çmos sepse nuk dalim dot të flasim. Sepse ne kemi frikë. Ato nuk kishin telefon, por merrnin telefon të huaj që mund të flisnim. Kanë rreth 10 vjet që kanë ikur. Djali kur shkoi atje nuk më pyeti fare. Disa ditë qëndruan në Turqi më pas me merrte dhe më thoshte hajde babi në Siri. Nusen e vranë sepse ajo na thoshte shpesh për ti tërhequr. Atë ditë që e vranë atë ditë më morën çupat në telefon dhe më thanë: na e vranë mamin”, u shpreh Dylber Shuli.

Avokati Arber Hoxha, në fjalën e tij theksoi se autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përpjekje maksimale për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri.

Sipas tij, gjatë periudhës së ngritjes së kampit famëkeq të ISIS, një pjesë e personave të radikalizuar në konceptet e besimit fetar kanë marrë me vete edhe familjarët e tyre.

Avokati theksoi se personat e rikthyer janë dëshmitarë kyç dhe mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme për autoritetet shqiptare, por njëkohësisht duhet marrë në konsideratë gjendja, kushtet dhe rrethanat në të cilat ata ndodhen.

“Autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për riatdhesimin e këtyre personave dhe fatkeqësisht gjatë periudhës së ngritjes së kampit famëkeq të ISIS një pjesë e atyre zonave të cilët ishin të radikalizuar në konceptetet e besimit fetar dhe shpesh herë kanë marrë dhe familjet me vete dhe raste të tilla ka pasur me dhjetëra në dijeninë time të paktën në zonën e Pogradecit, Korçës, Peqinit, Gramshit. Patjetër që ajo është person kyç dhe një dëshmitare që do të jap të dhënë shumë të vlefshme për autoritetet por duhet të kemi parasysh dhe gjendjen dhe kushtet  dhe rrethanat që këta ndodhen por edhe autoritet duhet të punojnë”, tha Hoxha.      

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme