Goditet grupi kriminal për trafikim armësh dhe kultivim kanabisi në Fier, në pranga 4 persona
Një grup kriminal që merrej me trafikim armësh, kultivim dhe shitje të kanabisit është goditur nga policia në Fier.
Në pranga kanë rënë 4 persona me precedentë penalë dhe rrezikshmëri shoqërore, konkrtisht 48-vjeçari Boran B., 53-vjeçari Niko O., 48-vjeçari Qamil Sh. dhe 33-vjeçari Besim B., ndërsa një 51-vjeçar u procedua në gjendje të lirë. Boran B. dhe Qamil Sh., vepronin si organizatorët e grupit, ndërsa Niko O., dhe Besim B., siguronin armët dhe gjetjen e klientëve.
Në banesën e Niko O., në Durrës u gjet edhe një pistoletë, të cilën tentoi ta hidhte nga dritarja në momentin e ndërhyrjes së policisë.
Policia ka sekuestruar 6 armë zjarri, 4.000 fidanë dhe 5.000 fara kanabisi, qindra fishekë, si dhe uniforme dhe radio policie.
Ky aktivitet kryhej në disa qytete të vendit, si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, ndërsa në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në PKK Morinë.
Operacioni, i koduar “Procedimi”, u zhvillua pas hetimeve disa mujore me metoda speciale, në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Nga kontrollet u sekuestruan armë, municione, kanabis i kultivuar dhe mjete të ndryshme, ndërsa dyshohet se grupi vepronte i organizuar me qëllim trafikimin e armëve dhe narkotikëve. Hetimet dhe operacionet vazhdojnë për të identifikuar dhe kapur anëtarët e tjerë të grupit.
Drejtori i Policisë Fier, Skënder Hita, theksoi se operacioni është rezultat i bashkëpunimit mes policisë dhe Prokurorisë, me theks në goditjen e veprimtarive kriminale në rajon.
“Ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Operacioni ‘Procedimi’ është finalizimi i një hetimi të thelluar me metoda speciale, që ka për qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në rajonin tonë.”, tha ai.
Hetimet zbuluan se grupi vepronte në disa qytete, duke siguruar armë nga Kosova dhe duke kultivuar kanabis në zona të ndryshme të Fierit dhe jashtë tij.
“Strukturat tona do të vijojnë pa ndërprerje luftën kundër trafikimit të armëve dhe narkotikëve, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve”, shtoi Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




