Gonxhja: Ekonomia e eventeve shpëton shifrat e turizmit dhe përmirëson ecurinë e sezonit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se ekonomia e eventeve ka ndikuar në përmirësimin e ecurisë së sezonit turistik, duke rikthyer trendin pozitiv të vizitave të turistëve të huaj gjatë muajit korrik.
Përmes një postimi në Facebook, Gonxhja bën të ditur se në korrik 2026 Shqipëria u vizitua nga 1,955,099 vizitorë të huaj, kundrejt 1,825,490 vizitorëve në të njëjtin muaj të vitit 2025. Sipas tij, kjo përfaqëson një rritje prej 129,609 vizitorësh, ose rreth 7.1%.
Ministri thekson se, krahasuar me qershorin 2026, në korrik u regjistruan 608,820 vizitorë të huaj më shumë, duke shënuar një rritje mujore prej 45.22%. Sipas tij, të dhënat dëshmojnë një rikuperim të fortë pas ngadalësimit të evidentuar në qershor.
“Ekonomia e eventeve shpëton shifrat e turizmit dhe përmirëson ecurinë e sezonit, duke kthyer trendin pozitiv! Në korrik 2026, Shqipëria u vizitua nga 1,955,099 vizitorë të huaj, kundrejt 1,825,490 vizitorëve në korrik 2025. Kjo përfaqëson një shtesë prej 129,609 vizitorësh, ose një rritje prej rreth 7,1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Krahasuar me qershorin 2026, në korrik u regjistruan 608,820 vizitorë të huaj më shumë, duke shënuar një rritje mujore prej 45,22%. Të dhënat tregojnë një rikuperim të fortë pas ngadalësimit të regjistruar në qershor. Ndërsa periudha janar–maj 2026 regjistroi një rritje prej 8,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ritmi i rritjes zbriti në 1,3% në qershor dhe u rikthye në 7,1% në korrik.
Këto rezultate tregojnë se ngadalësimi i qershorit nuk u shndërrua në një prirje të qëndrueshme rënëse. Përkundrazi, korriku shënoi një rikuperim të ndjeshëm, duke iu afruar ritmit të lartë të rritjes të regjistruar gjatë pesëmujorit të parë. Megjithatë, nëse qershori 2026 do të kishte vijuar me trendin e njëjtë rritës, numri i vizitorëve të huaj në korrik do të rritej sipas atij trendi në rreth 2,094,542 vizitorë të huaj, çka e krahasuar me rezultatin faktik prej 1,955,099 vizitorë, paraqet një hendek prej 139,443 vizitorësh më pak, ose rreth 6.7% ndaj skenarit të projektuar për korrikun 2026”, shkruan Ministri.
Në analizën e tij, Gonxhja shpreh shqetësimin se vijimi i protestave dhe episodet e sulmeve ndaj bizneseve të industrisë së mikpritjes kanë ndikuar negativisht në sektorin e turizmit gjatë muajit korrik.
Nga ana tjetër, ai nënvizon se organizimi i eventeve rezulton vendimtar për tërheqjen e vizitorëve dhe gjenerimin e aktivitetit ekonomik. Sipas ministrit, festivalet, itineraret tematike, festat lokale, eventi i Kanye West në Tiranë, koncertet e artistëve vendas dhe të huaj, performanca e Zucchero-s, si edhe konferencat dhe aktivitetet ndërkombëtare të zhvilluara në vend, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e fluksit turistik gjatë muajit korrik.
“Ndikimi i vijimit të protestave dhe i episodeve shumë të dëmshme të sulmeve ndaj bizneseve të industrisë shqiptare të mikpritjes, gjatë korrikut, janë arsye shqetësuese për sektorin turistik!
Nga ana tjetër aktivitetet vërtetohen jetike për të gjeneruar turizëm e ekonomi. Veçanërisht për korrikun kanë ndikuar pozitivisht festivalet dhe iteneraret tematike, festat dhe ngjarjet e jashtëzakonshme si eventi i YE (Kanye West) në Tiranë, shumë show e koncerte të skenës artistike të pavarur ose nga institucionet dhe bashkitë, turet e legjendave si nata e Zucchero, eventet ndërkombëtare e konferencat e ndryshme në vend!”, thekson Ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



