“Green & blue Prespa 2026” – Festivali që promovon natyrën dhe turizmin e qëndrueshëm

Kulturë | 4 muaj më parë

Ka përfunduar në Prespë edicioni i parë i festivalit “Green & Blue Prespa”, një aktivitet treditor që promovoi turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e natyrës dhe trashëgiminë kulturore të rajonit. Gjatë festivalit, të zhvilluar nga 3 deri më 5 korrik, vizitorët morën pjesë në aktivitete të ndryshme si lundrime me kajak, ecje në natyrë, shëtitje me varkë drejt ishullit të Maligradit, kamping, panair me produkte artizanale e gastronomi lokale, si dhe shfaqje artistike.

“Është viti i parë që realizohet. Këtu këtij aktiviteti është shtuar edhe Karak Festi ku është futur si një pjesë e e këtij aktiviteti të madh. Gjithashtu kishte dhe muzikë kishte shfaqje në kuadër të verës kulturore maqedonase”, deklaroi Pali Kolevski, Kryetar i Bashkisë Pustec.

Një nga momentet kryesore ishte zhvillimi i Tryezës së Hapur të Liqenit, ku përfaqësues nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut diskutuan mbi zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e biodiversitetit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.

“Në fakt ky lloj eventi ndodh për herë të parë në në Prespë bën bashkë shumë aktorë duke filluar nga organizatat mjedisore, nga aktorët qeveritarë, nga nga aktorët ndërkufitarë dhe për herë të parë bëmë bashkë po themi përfaqësues nga të gjitha të gjitha shtetet”, u shpreh Gjergji Koki, Drejtor i ADZM.

Festivali synon të kthehet në një traditë vjetore, duke promovuar Prespën si një destinacion të rëndësishëm natyror e kulturor dhe duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme