Greva e naftëtarëve, Shahu: Duam paga dinjitoze, kompania po na bën presion me heqje nga puna
Dritan Shahu, kreu i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve dhe njëherësh drejtues i protestës dhe grevës së urisë së naftëtarëve në Marinzë ka deklaruar për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1 se naftëtarët kërkojnë paga dhe standarde në profesionin e tyre.
Shahu denoncoi kushtet e rënda të punës dhe pabarazinë e madhe në shpërblime mes punëtorëve shqiptarë dhe drejtuesve të huaj të kompanisë “Bankers Petroleum”.
Shahu u shpreh i revoltuar për situatën financiare të deklaruar nga kompania duke thënë se kompania nuk mund të justifikohet duke thënë që nuk ka para.
“Këtu ka 20 vjet që deklarohet se ‘nuk kemi para, nuk kemi para. Jemi me humbje, jemi me humbje’. Nuk kanë para vetëm për këta këtu. Po shikosh deklarimet e mëparshme thonë; ne kemi bërë 5 miliardë euro investim në Fushë-Marinzë. Këta djem e di sa kërkojnë, gjithë vitin vetëm 800 mijë euro. E di sa janë 800 mijë euro? Është një rrogë, e shtetasit kinez, këshilltari ligjor i CEO-s, i cili ka dalë në përgjimet e prokurorisë dhe merrte 800-850 mijë euro në vit, pagë. Kaq kërkojmë ne për 400 shqiptarë”, u shpreh Shahu.
Ai theksoi se kërkesa kryesore e naftëtarëve është vendosja e një standardi të lartë për pagat dhe kushtet e punës.
“Ne kërkojmë që këtu të krijohet një standard për këta djem që punojnë për atë industri që përfaqësojnë, të krijohet një standard i mirë pagash për të gjithë. Të trajtohen si naftëtarë me dinjitet. Si një profesion që përfshihet në kategorinë e punës së rëndë dhe duhet të jetë i mirëpaguar”, theksoi Shahu.
Shahu hodhi poshtë justifikimet financiare të kompanisë, duke shtuar se “nuk ka justifikime që ‘nuk kemi para’. Por nuk duan të ndryshojnë asgjë për punëtorët. Nëse nuk do të kishin para, nuk do ta paguanin një këshilltar ligjor 800 mijë euro në vit. Është çmenduri.”
Sipas Shahut, aktualisht 10 punëtorë janë në grevë urie, ndërsa pjesa tjetër e naftëtarëve ka bojkotuar punën. Ai shtoi se tre nga grevistët kanë pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore, përfshirë injeksione, dhe njëri është dërguar në spital për trajtim të specializuar, por është rikthyer në grevë.
“Aktualisht janë 10 djem në grevë urie dhe pjesa tjetër e çunave kanë bojkotuar punën. Tre nga djemtë e grevës së urisë kanë marrë injeksione, madje njëri është transportuar për në spital për ndihmë më të specializuar mjekësore dhe më pas është rikthyer në grevën e urisë. Kompania vazhdon u dërgon mesazhe akoma; hajde në punë ndryshe do ju heqim nga puna. Vazhdojnë t’u bëjnë presione”, tha Shahu, duke denoncuar taktikat e kompanisë për të intimiduar punëtorët.
Shahu shpjegoi se sindikata ka dy vjet që negocion me kompaninë: “Ky aksion i joni nuk është sot, kemi 2 vjet dhe kemi bërë tre tubime. Jemi ulur, kemi diskutuar me kompaninë, kemi bërë një analizë të të gjithë pagave në Shqipëri, kemi bërë një analizë të pagave të të gjithë punonjësve, kemi bërë një analizë të pagave të punonjësve të fushës me pjesën tjetër të punonjësve me rangje më të larta, dhe diferenca e atyre arrin 200 fish.”
Kjo pabarazi, sipas Shahut, është e papranueshme për një industri që ka gjeneruar investime prej 5 miliardë eurosh në Fushë-Marinzë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




