Grupi parlamentar i PD, kërkesë zyrtare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 11 majit
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zyrtarizon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Grupi parlamentar demokrat pretendon se procesi zgjedhor ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. “Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjërësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025“, thuhet në kërkesë.
PD pretendon gjithashtu se në dokumentet ndërkombëtare, del se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u komprometuan për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, në drejtim të shitblerjes së votës, intimidimit të zgjedhësve, shtetit elektoral, sistemit kriminal të patronazhimit, manipulimit të votës së Diasporës dhe finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.
Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




