“Guida turistike e qarkut Shkodër”, botimi i Këshillit të Qarkut me rëndësi për promovimin e resurseve
Një hap i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e pasurive natyrore e kulturore të Shkodrës është bërë realitet.
Këshilli i Qarkut Shkodër (KQSH) ka prezantuar botimin më të ri, “Guida Turistike e Qarkut Shkodër”.
“Është një ftesë e hapur për të zbuluar bukurinë dhe shpirtin e kësaj treve. Është një udhëtim që nis me një faqe, por zgjohet me dëshirën për të prekur tokën, për të dëgjuar gjuhën për të shijuar traditat, dhe për të ndjerë historinë që flet në çdo cep të këtij qarku,” deklaroi Edmond Ndou, kryetar i KQSH-së.
E pranishme në këtë aktivitet, deputetja e qarkut Shkodër, Xhenis Çela, duke e cilësuar këtë botim një kontribut më shumë për turizmin dhe sfidat që ai ka përpara, garantoi se për Shkodrën do të jetë gjithmonë një zë në Kuvendin e Shqipërisë, që e mbështet këtë sektor dhe zhvillimin e gjithanshëm të tij.
“Si përfaqësuese në Kuvend, mbetem e angazhuar që turizmi të mbështetet me politika të qarta dhe të qëndrueshme në mënyrë që pasuritë tona të ruhen, të zhvillohen, por edhe të kthehen në një burim mirëqenieje për gjithë qytetarët,” tha deputetja Çela.
Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, duke e vlerësuar botimin e kësaj guide, foli edhe për kontributin që i lind këtij institucioni të japë në këtë drejtim.
“U bëj thirrje edhe kolegëve e departamenteve të turizmit që të jenë sa më pranë Qarkut, sa më pranë bashkive të territorit tonë,” u shpreh rektori Gjuraj.
Të pranishmit, pedagogë, operatorë turistikë dhe përfaqësues të pushtetit vendor vlerësuan nismën dhe theksuan rëndësinë që ka bashkëpunimi për të forcuar me tej pozitat e qarkut Shkodër në rajon, ne sektorin e turizmit dhe jo vetëm.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




