Guz Van Shipstal, triumfon në Elbasan

Guz Van Shipstal, holandezi i Global Team, është fituesi i etapës së dytë të Rrethit të 79-të të Shqipërisë, Korçë – Maliq – Korçë – Elbasan e gjatë 153.4 kilometra. Një etapë që e ka nisur e qetë nga kryeqendra e juglindjes së vendit dhe më pas të gjithë në grup kanë pedaluar drejt Qafës së Plloçës dhe Qafës së Thanës, ndërsa zbritjet në to kanë bërë dhe ndarjet në grupe të vogla të çiklistëve në këtë etapë. Në fakt kanë qenë dy sprinte të ndërmjetme, kjo në kilometrin e 36-të dhe në kilometrin e 85-të, të cilat janë fituar britaniku i Velo Skills – Interbajk RT, Tomas Stringer. Po kështu dhe një finish malor në kilometrin e 92-të i kategorisë së tretë, i cili u fitua po nga Tomas Stringer. Vendi i parë i etapës është ndarë me finish, ndërsa holandezi Van Shipstal e ka prerë i pari me kohën 3h31’01”. Me të njëjtin hap me të ishin edhe Dushan Kalaba i kombëtares serbe dhe Jovan Divniç i Meridiana Kamen Team. Fanella e verdhë i ka takuar përsëri Ylber Sefës, kurse e kuqja Mikel Demirit. Menjëherë pas etapës së dytë, holandezi Van Shipstal do të deklarohej kështu për RTSH Sport.
“Sigurisht që ka qenë një etapë e vështirë, të cilën kam arritur ta fitojë dhe kjo më bën të kënaqur. Më kanë ndihmuar dhe pjesa tjetër e ekipit, por përderisa gjithçka u nda me finish do të thotë që ka qenë konkurrenca e fortë. Nuk e di se si do të shkojë në vazhdim. Por unë shpresoj që gjërat të ecin mirë dhe të jemi në të njëjtin nivel, kurse i gjithë organizimi është në mënyrë perfekte”.
Çiklistët janë printur nën tingujt e bandës frymore të Elbasanit, kurse Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka dhënë dhe përshëndetjet e tij, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, atje ku janë shpërndarë dhe disa mirënjohje për ato që bëjnë të mundur këtë Tur të Shqipërisë.
Etapa e tretë e Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë është Elbasan – Vlorë, kurse i gjithë aktiviteti përfundon më 4 qershor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




