Haga kërkoi dënimin me 180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Vengu: Padrejtësi e institucionalizuar, minohet besimi në institucionet e paqes

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin me nga 45 vite burg për ish-drejtuesit e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke deklaruar se përpjekja për të barazuar çlirimtarët me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.
Duke e cilësuar kërkesën si padrejtësi të institucionalizuar, Vengu shprehet se rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes.
Ministri theksoi gjithashtu se gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.
“Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme.
Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara.
Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.
Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.
E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët”, shkruan Vengu në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




