Hakerët rusë dyshohet se sulmuan sistemin GPS të avionit me të cilin udhëtonte Ursula von der Leyen

Avioni që po transportonte Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dyshohet se ka rënë pre e hakerëve rusë ndërsa po tentonte uljen në Bullgari.
“Mund ta konfirmojmë se pati një bllokim të sistemit GPS, por avioni u ul pa rrezik,” deklaroi Arianna Podestà, zëvendëszëdhënësja e Komisionit Europian në një deklaratë për mediet.
Avioni, i cili ishte marrë për udhëtimin nga Komisioni Europian, nuk arriti të përdorte sistemet ndihmëse të navigimit si pasojë e ndërhyrjeve teksa po afrohej në aeroportin e Plovdivit, një ndër qytetet më të mëdha të Bullgarisë.
“Për të garantuar uljen pa rrezik të mjetit, Shërbimet e Trafikut Ajror propozuan menjëherë një qasje alternative, duke përdorur ndihmën e sistemeve tokësore (Sistemit Instrumental të Uljes). Sistemet ndihmëse tokësore në Bullgari nuk varen nga sistemet GPS dhe lejojnë uljen e sigurt të mjeteve,” njoftoi qeveria bullgare në një deklaratë për shtyp.
Von der Leyen është në vazhdën e një turi vizitash në shtetet që ndodhen afër vijave kufitare të kontinentit, si Letonia, Finlanda, Estonia, Polonia, Lituania, Bullgaria dhe Rumania, për të treguar mbështetjen e Bashkimit Europian për forcimin e aftësive të tyre dhe të sigurisë në kohën kur shumë pranë tyre zhvillohet një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë.
Zgjerimi i zonave të konfliktit dhe rritja e pajisjeve ushtarake për të bllokuar transmetimet satelitore po çon në një rritje të ndjeshme të problemeve gjatë fluturimit, veçanërisht duke filluar nga shtatori 2023. Avionët po marrin sinjale të rreme GPS që çorientojnë sistemet kompjuterike në bord, duke bërë që kabina të humbasë aftësitë e navigimit.
Sipas një platforme monitorimi të mirëmbajtur nga Universiteti Stanford, në gusht, midis 90 dhe 150 avionë raportuan probleme serioze që preknin sinjalet satelitore dhe instrumentet në bord çdo ditë midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Në vitin 2024, sipas një raporti nga OpsGroup, Bullgaria ishte ndër hapësirat ajrore më të prekura nga të ashtuquajturat “spoofing” dhe “bllokim”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




