Hapet thirrja e tretë për programin IPARD/ Mbi 700 aplikime gjatë dy thirrjeve të para, 236 ferma përfituese

Kreu i delegacionit të BE në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca së bashku me ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi, çelën sot nga Lushnja fazën e tretë të fushatës “Europa është Këtu”, kushtuar bujqësisë dhe zhvillimit rural, dhe fillimin e thirrjes së tretë për IPARD.
“Ne po lancojmë fushatën “Europa është Këtu” për bujqësinë. Së dyti po hapim thirrjen e tretë për aplikimet me programin IPARD. Dhe së treti ne po anonçojmë sot edhe një thirrje të re për aplikime në sektorin e peshkimit”, tha Soreca.
“Thuajse 40% e popullsisë së Shqipërisë jeton në zona rurale. Sektori i agroushqimit kontribuon 20% të PBB-së së Shqipërisë dhe mbledh pothuajse gjysmën e krahut të punës së Shqipërisë”, tha ai.
“Ne si BE kemi vënë në dispozicion 100 milionë euro për të mbështetur modernizimin e buqjësisë shqiptare gjatë 10 viteve të fundit. Madhësia e këtij investimi i bën BE-së mbështetësin më të madh të sektorit agroushqimor të Shqipërisë dhe prandaj kemi fushatën “Europa është këtu”, të cilën e lançuam në korrik”, u shpreh ambasadori i BE, Soreca.
“Europa është këtu me ju për të investuar tek fermerët dhe tek peshkatarët, për të mbështetur aspiratat tuaja, për të zhvilluar sektorin e agroushqimit në mënyrë të qëndrueshmë duke treguar respekt për mjedisin”, tha ai.
“BE është këtu që shqiptarët të kenë standarde europiane në ushqimin e tyre, edhe përpara se Shqipëria të bëhet shtet anëtar”, theksoi Soreca.
Soreca shtoi se programi IPARD vë në dispozicion 71 milionë euro si grante të drejtpërdrejta për të mbështetur investimet.
“IPARD është tashmë një sukses shumë i madh. Kemi pasur mbi 700 aplikime gjatë dy thirrjeve të para dhe 236 ferma kanë përfituar nga fondet e BE-së”, nënvizoi Soreca.
Programi IPARD synon të ndihmojë fermerët dhe sipërmarrësit në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri./ATSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




