Hartimi i Strategjisë së Kulturës 2026–2030, Gonxhja rendit 4 shtyllat kryesore
Promovimi i trashëgimisë kulturore, modernizimi i infrastrukturës, nxitja e industrive kreative dhe gjithëpërfshirja përbëjnë themelin e Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026–2030.
Ishin këto 4 shtyllat kryesore që ministri Blendi Gonxhja theksoi gjatë forumit të mbajtur këtë të premte, ku edhe nënvizoi rëndësinë e një qasjeje më të thjeshtë, më pak burokratike, që e shndërron kulturën edhe në një gjenerues real ekonomik.
“Edhe pse ende kemi vështirësi për të zgjidhur të drejtën e ekzistencës dhe të drejtën e shprehjes, të drejtën e lirisë, se nuk po them vetëm të krijimtarisë, por të drejtën për të qenë aty i lirë për të bërë art, për të thënë, për të folur me çdolloj teknike, me çdolloj zhanri, me çdolloj mundësie,” tha z. Gonxhja.
Gonxhja theksoi sfidat e shumta me të cilat përballet ky sektor, si edhe propozoi riformatim të disa prej aktiviteteve që zhvillohen aktualisht.
“Ne kemi ligje me nga 120 faqe, me nga 200 faqe. Është një lloj historie që… nga të gjitha anët, qoftë në art, qoftë në kulturë apo në trashëgimi, ne kemi nevojë të çlirohemi që t’i heqim vetes të gjitha këto justifikime dhe këto alibi që kemi, që nuk ia dalim dot, VKM-ra, ‘ma zgjidh këtë gjë se ti je më i miri’. Domethënë, telefoni im është një skandal nga kjo pikëpamje, që tregon se ne jemi shumë larg asaj që duhet të arrijmë,” u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Strategjia e re, që po hartohet nga Fondacioni “Santagata” për Ekonominë dhe Kulturën, me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, synon të krijojë një pasqyrë të aspiratave për një kulturë më të gjallë, më të hapur dhe më të qëndrueshme, ku artet dhe kreativiteti të shndërrohen në motor për zhvillim ekonomik dhe tërheqje rajonale.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




