Hekurudha dhe rrugët e reja në Tiranë, qeveria miraton shpronësimet për lotin e parë nga Kamza në Kashar, procedura për pronarët

Aktualitet | 7 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilët preken nga realizimi i projektit infrastrukturor “Rrugët paralele me hekurudhën nga kthesa e Kamzës deri tek stacioni hekurudhor në Kashar – Loti I”.

Ky projekt synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin në një nga zonat me zhvillim të shpejtë urban dhe industrial të kryeqytetit, duke i paraprirë dhe mbështetur projektin madhor të rrjetit të ri hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe Aeroportin e Rinasit.

Shpronësimi do të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, e cila është institucioni përgjegjës për zbatimin e këtij projekti.

Sipas vendimit të qeverisë, pronarët e prekur (të pasurive të llojit “arë” dhe “truall”) do të kompensohen në vlerë të plotë. Vlera e përgjithshme e fondit të shpronësimit për këtë lot është 1,634,311 lekë. Kjo shumë, së bashku me shpenzimet procedurale prej 50,000 lekësh, do të përballohet tërësisht nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

Procedura për pronarët

Për të përfituar kompensimin financiar, pronarët e pasurive që figurojnë në tabelat bashkëlidhur VKM-së duhet të paraqesin dokumentacionin justifikues pranë zyrave të Bashkisë Tiranë. Procesi i shpronësimit konsiderohet i nisur me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare dhe afati për përfundimin e tij është vendosur brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi.

Bashkia Tiranë është e ngarkuar të kryejë të gjitha procedurat për likuidimin e qytetarëve sipas përcaktimeve ligjore.

Pezullimi i transaksioneve në kadastër

Një pikë e rëndësishme e këtij vendimi është urdhëresa për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (Drejtoria Vendore Rurale 2). Kadastra ka 30 ditë kohë për të hedhur gjurmën e projektit mbi hartën kadastrale dhe për të regjistruar kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.

Për të shmangur abuzimet ose vonesat, Kadastra detyrohet të pezullojë menjëherë të gjitha transaksionet (shit-blerje, dhurime, etj.) me pasuritë që preken nga ky projekt, derisa të përfundojë plotësisht procesi i regjistrimit të gjurmës së re dhe kalimit të pronësisë.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Këshilli i Qarkut Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme