Helmimi në kopshtin publik të Gramshit, ISHP konfirmon 4 raste me salmonelë

Sociale | 1 vit më parë

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar deri më tani 4 raste me prani te bakterit salmonel nga analizat laboratorike të fëmijëve dhe personelit të kopshtit nr.1 në qytetin e Gramshit. 76 mostrat e feçes të fëmijëve dhe personelit të kopshtit publik në Gramsh ndodhen në duart e ekspertëve të laboratorit qendror të Institutit të Shëndetit Publik, që e kanë shpallur vatrën e shpërthimit salmonelë.

Mjekja mikrobiologe e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor të qytetit të Gramshit, Dafina Shtylla, e cila po ndjek nga afër procesin e hetimit epidemiologjik, e kontaktuar në telefon nga RTSH tha se deri në këto momente Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar 4 raste me prani të bakterit salmonelë të tipit Enteretidis, nga 5 të ekzaminuara.

Sipas mjekes Shtylla nëntipizimi bëhet për të verifikuar burimin se nga ku është marre ky bakter. Për këtë qellim është angazhuar ekipi i përberë nga mikrobiologu Dritan Bego, epidemiologu dhe inspektori sanitar. Hetimi epidemiologjik ende nuk ka arritur në një konkluzion për origjinën e infeksionit pasi puna po vijon ende.

Kryebashkiaku i Gramshit, Besjan Ajazi i tha RTSH se kopshti është nënshtruar dezinfektimit që ditën e parë dhe asnjë fëmijë nuk e kaloi natën në spital.

Instituti i Shëndetit Publik po punon ende me mostrat e tjera për të verifikuar shkaqet e kësaj vatre infeksioni. Ndërkohë prindërit kanë njoftuar se do të mbajnë një protestë të hënën ndaj autoriteteve përgjegjëse për infektimin e fëmijëve të tyre në ambientet e kopshtit.

Për rastin ka reaguar edhe policia e Gramshit, ku njofton se “po hetohen rastet e 6 fëmijëve që janë infektuar dhe kanë kërkuar ndihmë në spital”, ku rezulton e 4 prej tyre kanë qenë të prekur nga salmonela.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme