Hetimet mbi rastin e Epstein, Hillary Clinton do të dëshmojë sot para Kongresit

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton pritet të dëshmojë sot para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve mbi rastin e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein. Seanca do të zhvillohet në Chappaqua, pranë rezidencës së çiftit Clinton, dhe pritet të mbahet pas dyerve të mbyllura, megjithëse vetë ata kanë kërkuar që dëshmia të jetë publike për të shmangur interpretimet e pjesshme.
Bill Clinton pritet të japë dëshminë e tij të premten, duke u bërë ish-presidenti i parë amerikan që paraqitet para një paneli kongresional pas Gerald Ford në vitin 1983. Hillary Clinton ka deklaruar se nuk mban mend të ketë takuar apo folur me Epstein, ndërsa Bill Clinton ka pranuar se e njihte, por ka mohuar çdo keqbërje, duke theksuar se kontaktet me të i ndërpreu dy dekada më parë.
Çifti ka akuzuar udhëheqësin republikan të panelit, James Comer, për politikë partiake, duke e cilësuar hetimin si përpjekje për të vënë në siklet rivalët politikë. Nga ana tjetër, paneli ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se hetimi synon të zbardhë lidhjet e Epstein me figura të profilit të lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




