Hiqen alarmet për cunam në brigjet e Paqësorit, me miliona banorë të evakuuar kthehen në shtëpi

Paralajmërimet për cunam në brigjet e Paqësorit u hoqën të mërkurën, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi brigjet lindore të Rusisë, duke detyruar miliona banorë të evakuoheshin. Me largimin e rrezikut, banorët janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Në Japoni, rreth dy milionë persona u zhvendosën drejt zonave më të larta, ndërsa u evakuua përkohësisht edhe centrali bërthamor i Fukushimës. Në Kili, 1.4 milionë banorë u larguan nga zonat bregdetare, megjithëse dallgët arritën vetëm rreth 60 centimetra.
Në Ishujt Galapagos, ku pritej të kishte dallgë deri në tre metra, rreziku kaloi pa dëme të mëdha, duke u regjistruar vetëm një rritje prej më pak se një metër. Autoritetet mbyllën parqe kombëtare, shkolla dhe nxorën turistët nga anijet për t’i strehuar në tokë të sigurt.
Dëmet më të mëdha u regjistruan në portin rus të Severo-Kurilsk, ku cunami përmbyti uzinën lokale të peshkimit dhe u përhap deri tek monumenti i Luftës së Dytë Botërore, rreth 400 metra nga bregu. Sipas autoriteteve, nuk raportohet për viktima.
Ky ishte tërmeti më i fortë në rajonin e Kamçatkës që nga viti 1952.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




