“Historia e Ushtarit” rikthehet në skenën e Durrësit, vepra e Igor Stravinski emocionon publikun

Kulturë | 12 muaj më parë

Një nga tri veprat më të mëdha të muzikës së shekullit të 20-të, „Historia e Ushtarit“ e kompozitorit të madh rus Igor Stravinski, erdhi në Durrës e interpretuar për herë të parë, nga Orkestra Simfonike të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi.

Muzika dhe fjala nën interpretimin e aktores Ema Andrea, përcollën te publiku një përjetim artistik të veçantë.

Një përrallë muzikore ku muzika, fjala dhe lëvizja bashkohen për të treguar historinë e një ushtari që i shet shpirtin dhe violinën e tij djallit, një metaforë e fuqishme që mbetet e gjallë në çdo kohë dhe i flet çdo brezi.

“Jam shumë i lumtur se është një muzikë e jashtëzakonshme, por dhe një mesazh i rëndësishëm që është shkruar në 1918”, u shpreh violinisti, Florian Vlashi.

“Është një vepër e vështirë gjithashtu sa sfiduese dhe e bukur. Ka të bëj me aktrimin dhe muzikën”, u shpreh aktorja Ema Andrea.

Për instrumentistët e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, kjo vepër është një sfidë e vërtetë artistike, që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe ndjeshmëri të thellë muzikore.

“Jemi 3 solistë të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura dhe është një nder dhe privilegj që luaj me profesorin e nderuar Florian Vlashi”, tha Igli Zeqiri, Solist i Orkestrës Simfonike FA

Me ironinë, ritmin dhe poezinë e saj, “Historia e Ushtarit” ringjalli emocione të forta tek artdashësit durrsakë, duke dëshmuar se arti i vërtetë është i përjetshëm dhe pa kufij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme