Hollandë-Ekuador 1-1, barazimi që pranohet

Beteja e midis Holandës dhe Ekuadorit, dy skuadrave që e patën nisur grupin A me nga një fitore në ndeshjet e para, që u luajt të premten në mbrëmje dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga RTSH Sport, është mbyllur në barazim 1-1. Në fakt, kanë qenë portokallinjtë që kanë kaluar të parët në epërsi pas vetëm 6 minutash lojë.
Goli duket se i ka bërë holandezët të mendojnë më tepër për ta mbrojtur epërsinë, por e gjejnë veten nën trysninë e vazhdueshme të amerikanolatinëve, të cilët nuk rreshtin së ndërtuari aksione dhe raste për shënim. Por ca për pasaktësi në finalizim dhe sidomos për meritë të portierit holandez, Nopert, goli i barazimit nuk ka ardhur për ekuadorianët. Edhe kur ka ardhur, 4 minuta para fundit të pjesës së parë, me autor Estupinanin, ai është anuluar për pozicion jashtëloje.
Por Ekuadori do ta gjejë golin e barazimit me fillimin e pjesës së dytë, me autor të përhershmin Ener Valencian, që realizon në minutën e 49-të.
41 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato shtesë nuk sjellin gola të tjerë dhe Holanda dhe Ekuadori e mbyllin në barazim 1-1, duke ndarë nga një pikë që i mban të dyja në krye të renditjes së grupit A.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



