Homazhet ndaj efektivit, kolegët në lot: Humbje e madhe, ishte aset për forcat “Shqiponja”

Aktualitet | 2 vite më parë

Efektivi i forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia përcillet sot drejt banesës së fundit. Familja, kolegë, qytetarë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kanë kryer homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit 28-vjeçarit të vrarë pas një konflikti çasti nga 23-vjeçari ende në arrati, Azgan Mërnica.

Kolegë të Cenalias kanë shprehur për mikrofonin e RTSH dhembjen e madhe për humbjen e 28-vjeçarit, për të cilin shprehen se ka qenë tepër miqësor.

Efektivët deklaruan se momenti i përcjellës së kolegut të tyre drejt banesës së fundit është shumë i dhimbshëm dhe se Cenalia ka qenë një aset për forcat “Shqiponja”.

“Momenti kur nuk na vijnë fjalët të shprehim përjetimet. Jemi një familje e madhe ku punojmë me oraret tona. Ka qenë djalë shembullor, i urtë, motivues për ne, aset për Shqipërinë.

Ta përcjellësh kolegun në banesën e fundit, e përjetojmë shumë. E dimë çdo të thotë kjo humbje e madhe. Shumë e vështirë të flasim edhe fjalë ngushëlluese. Ka pasur me të gjithë raport miqësor. Djalë i dashur me të gjithë, i përkryer. 

Këto fjalë i ka merituar vërtetë sepse ka qenë i tillë”, u shpreh një prej kolegëve.

Gazetarja e RTSH, Lusi Përgjegji bëri me dije se autori është ende në arrati ndërsa shtoi policia ka ngritur postblloqe në pikat kufitare.

Sipas Përgjegjit, dyshohet se autori mund të ketë përshkruar rrugën e Lumit Vjosa, pasi ka lënë makinën në shtëpinë e dajës së tij fill pas ngjarjes.

“Në orën 11: do përcillet në varrezat e qytetit të Fierit. Përveç kolegëve dhe forcave të policisë që kanë ardhur të nderojnë kolegun e tyre, shumë qytetarë të Fierit kanë ardhur për ta nderuar. Ai kishte vetëm 3 javë që ishte martuar.

Sot kemi parë dhe bashkëshorten në lot. Policia po vijon hetimet intensive. Një pjesë e kolegëve janë në terren për gjetjen e autorit. Kërkimet janë shtrirë dhe në Gjirokastër e Tepelenë. Janë ngritur postblloqe në pikat kufitare për të kontrolluar nëse do ketë tentativë

Mund të jetë ndihmuar dhe nga të afërm dhe familjarë të tij, ndonëse janë shoqëruar 12 persona në polici. Nëna e tij e pranishme në vendin e ngjarjes është shprehur që në momentin që ka ndodhur vrasja, nuk e ka kuptuar dinamikën, pasi ka ndodhur shumë shpejt. Menjëherë është future në makinë dhe është larguar në shtëpinë e dajës ku dhe ka lënë makinën. Më pas është larguar ose në këmbë ose në motor. Dyshohet se mund të ketë përdorur rrugën e Lumit Vjosë për t’u larguar”, tha Përgjegji e cila shtoi se autori nuk ishte i panjohur për policinë pasi vinte nga një familje me të shkuar kriminale.

“Babai i tij kishte kryer një vrasje dhe ishte dënuar, vëllai i tij është dënuar me 19 vite burgim për një ngjarje të vitit 2021 dhe një vëlla tjetër i burgosur në Gjermani”, shtoi Përgjegji.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme