Homazhet për Jorgo Papingjin, Begaj: Poeti i mbeti besnik rëndësisë së fjalës, tekstet e tij i rezistuan kohërave

Sociale | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj dërgoi një kurorë lulesh në homazhet e zhvilluara për “Mjeshtrin e Madh”, Jorgo Papingji, i cili u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Ndërsa vlerësoi ndikimin e poetit në shoqërinë shqiptare përmes teksteve në këngët e muzikës së lehtë dhe popullore, Presidenti i përcolli ngushëllime familjes përmes një telegrami.

“Ne që u rritëm me muzikën e veshur aq mjeshtërisht nga vargjet e teksteve të tij, ëndërruam, medituam e reflektuam mbi to, do ta kujtojmë si poetin më të dashur.

Tekstet e tij i rezistuan të gjitha kohërave, sepse ai nuk ra në kurthin e eksperimenteve kalimtare, por mbeti poeti besnik ndaj rëndësisë së fjalës”, shkruan Begaj.

Jorgo Papingji, shkruesi i disa prej teksteve më në zë në muzikën shqiptare është shuar në moshën 81-vjeçare.  Tekstëshkruesi i mijërave teksteve të këngëve të dashurie për shqiptarët në “Festivalin e Këngës”, Jorgo Papingji ndahet nga jeta pas një gjendje të rënduar shëndetësore.

Nga hollin e Radio Tiranës , sot (23 mars) nga ora 09:00 deri ne 11:00 do t’i jepet lamtumira e fundit Jorgo Papingjit, një ndër poetët simbol të muzikës shqiptare. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme