Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit, mundësi e humbur. Sot Kosova do ishte nyjë strategjike në rajon

Kosovë | 1 vit më parë

Me rastin e pesëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, ish-kryeministri Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka konsideruar këtë marrëveshje si arritje historike për Kosovën, e cila sipas tij, “krijonte mundësi unike për: (1) fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe (2) vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore”.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti shkruan se po të zbatoheshin projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020, Kosova sot do të merrte rolin e saj si nyjë rrugore, hekurudhore dhe energjetike (përmes gazit) në rajon dhe përtej.

“Po të zbatoheshin projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje, Kosova sot do të merrte rolin e saj si nyje rrugore, hekurudhore dhe energjetike (përmes gazit) në rajon dhe përtej, me Fushë-Kosovën si port i thatë tregtar që do të lidhte portet e Durrësit dhe të Selanikut, për të vazhduar në veri për Evropën Qendrore. Në aspektin politik, marrëveshja solli njohjen nga Izraeli, duke e thyer bllokadën disa-vjeçare të mungesës së njohjeve dhe duke e avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, institucionet e Kosovës e kanë neglizhuar këtë marrëveshje.

“Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare”, ka shkruar Hoti.

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti amerikan, Donald Trump, atëherë në mandatin e tij të parë.

Qëllimi i saj është normalizimi i raporteve ekonomike Kosovë–Serbi përmes projekteve infrastrukturore apo shfrytëzimit të ujërave të Liqenit të Ujmanit, që e pretendon secili shtet.

Një nga pikat që është arritur në kuadër të marrëveshjes është vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, ndërsa Shtetet e Bashkuara më parë kanë deklaruar se presin që palët t’i përmbahen detyrimeve që kanë marrë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme