Hoxhalli: Nevojitet konsensus për ta nxjerrë RTSH nga stanjacioni ku ka ngelur
Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxhalli, deklaroi se institucioni publik ndodhet në një moment kritik të zhvillimit të tij, mes sfidave të trashëguara dhe mundësive për një reformim tërësor.
“RTSH ndodhet në një udhëkryq vendimtar: nga njëra anë barra e problemeve të trashëguara, sfidat e akumuluara ndër vite dhe financat e brishta, dhe nga ana tjetër, një mundësi e artë, mbështetja për një transformim tërësor, vizioni i qartë dhe aleatët strategjikë si EBU për ta çuar përpara këtë proces,” u shpreh Hoxhalli gjatë paraqitjes së raportit vjetor të RTSH-së për 2024.
Ai theksoi se për të arritur sukses në këtë reformë të thellë, është e domosdoshme arritja e konsensusit dhe bashkëpunimi politik e institucional.
“Ajo që na duhet është konsensusi dhe vullneti i përbashkët për të çuar përpara këtë rimodelim ambicioz. Besoj se me guxim dhe punë të përbashkët mund ta nxjerrim RTSH nga stanjacioni ku ka ngelur,” tha Hoxhalli.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të procesit të transformimit strategjik të RTSH-së, që po zhvillohet në bashkëpunim me Unionin Europian të Transmetuesve (EBU), me synimin për të modernizuar strukturën, programacionin dhe financimin e medias publike shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




