HRW: Azerbajxhani po i keqtrajton të burgosurit Armenë të luftës

Botë | 6 vite më parë

Trupat etnike armene të zëna në luftimet e fundit në Nagorno-Karabak janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në disa raste nga forcat azerbajxhanase, duke qenë subjekte të abuzimit fizik dhe poshtërimit, ka thënë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW).

Në disa materiale që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, shihen trupat e Azerbajxhanit duke goditur dhe rrahur të burgosurit armenë të luftës, ka thënë kjo organizatë.

Në disa video, të burgosurit armenë janë detyruar, me qëllim të poshtërimit, që të puthin flamurin e Azerbajxhanit, të lavdërojnë presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, të shajnë kryeministrin armen, Nikol Pashinian, dhe të deklarojnë se Nagorno-Karabaku i takon Azerbajxhanit.

Organizata Human Rights Watch ka analizuar nga afër 14 nga dhjetëra incizimet që tregojnë abuzimin e supozuar të të burgosurve armenë që janë postuar nëpër rrjetet sociale.

Ajo po ashtu ka biseduar me familjet e pesë të burgosurve ndaj të cilëve është vërejtur kryerje e abuzimit.

Materialet janë postuar në platformat si Telegram dhe disa llogari në Instagram.

Ndonëse ligji humanitar ndërkombëtar dhe legjislacioni që rregullon konfliktin e armatosur kërkon që palët e përfshira t’i trajtojnë të burgosurit në mënyrë njerëzore në të gjitha rrethanat, në shumicën e videove fytyrat e rrëmbyesve janë të dukshme, çka tregon se ata nuk kanë pasur frikë nga mbajtja e përgjegjësisë, ka thënë organizata me bazë në Nju Jork.

Konventa e tretë e Gjenevës mbron të burgosurit “sidomos ndaj akteve të dhunës dhe fyerjeve dhe kundër kuriozitetit publik”.

“Nuk mund të ketë arsyetim për trajtimin e dhunshëm dhe poshtërues të të burgosurve të luftës”, ka thënë Hugh Williamson, drejtor për Evropë dhe Azi Qendrore në Human Rights Watch.

“Ligji humanitar është absolutisht i qartë për obligimet rreth mbrojtjes së të burgosurve. Autoritetet e Azerbajxhanit duhet të sigurojnë se ky trajtim të ndalet menjëherë”.

Ndonëse shifrat e sakta nuk dihen ende, zyrtarët armenë i kanë thënë HRW-së se Azerbajxhani mban “dhjetëra” të burgosur armenë.

HRW ka thënë në raportin e publikuar më 2 dhjetor se Armenia mban një numër të të burgosurve nga Azerbajxhani dhe “të paktën tre mercenarë të huaj”.

Human Rights Watch është duke analizuar materialet që tregojnë për abuzimin e të burgosurve azerbajxhanas, që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe do të raportojë për gjetjet.

Përse konflikt në Nagorno-Karabak?

Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo arment etnikë përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë atje dhe refuzojnë rregullin azerbajxhanas.

Ata kanë udhëhequr çështjet e tyre vetë, me mbështetje të Armenisë, prej kur trupat e Azerbajxhanit dhe civilët etnikë të këtij shteti janë larguar nga rajoni, në luftën që ka përfunduar me armëpushim më 1994.

Luftimet kanë nisur sërish në dhe afër rajonit të Nagorno-Karabakut më 27 shtator të këtij viti, duke vrarë mijëra ushtarë dhe civilë nga të dyja anët përgjatë disa javëve.

Azerbajxhani nuk ka ofruar të dhëna për viktimat e tij ushtarake.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme