Hungaria e Sllovakia bllokojnë naftën – Pezullohen eksportet drejt Ukrainës, akuza për shantazh dhe krizë furnizimi

Tensionet mes fqinjëve janë përshkallëzuar ndjeshëm pasi Hungaria dhe Sllovakia njoftuan zyrtarisht pezullimin e eksporteve të naftës drejt Ukrainës. Ky vendim vjen si pasojë e bllokimit të furnizimeve ruse përmes tubacionit Druzhba, i cili u dëmtua nga sulmet ajrore në territorin ukrainas. Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, deklaroi prerë se dërgesat e naftës nuk do të rifillojnë deri sa Kievi të lejojë sërish kalimin e naftës bruto drejt tyre.
Në të njëjtën linjë është treguar edhe kryeministri sllovak Robert Fico, i cili theksoi se çdo litër karburant që do të përpunohet tashmë do të shkojë vetëm për tregun vendas. Ndërkohë, qeveria hungareze ka hedhur akuza të forta drejt Ukrainës duke e cilësuar këtë situatë si një shantazh të pastër politik. Për të përballuar krizën, Sllovakia ka nxjerrë në treg edhe 250 mijë ton naftë nga rezervat e saj të emergjencës.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka ndërhyrë duke deklaruar se siguria energjetike e këtyre dy vendeve nuk paraqet rrezik për momentin. Megjithatë, kjo krizë e re rëndon pozicionin e Ukrainës, e cila po përballet me dëmtime të mëdha të infrastrukturës pas sulmeve të fundit ruse.
Kievi zyrtar u ka kërkuar vazhdimisht partnerëve evropiane të shkëputen plotësisht nga energjia që vjen nga Moska. Tashmë pritet të shihet nëse Brukseli do të gjejë një rrugëzgjidhje përmes porteve kroate, Anipse Kroacia ka shprehur rezerva për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




