I akuzuar për trafik ndërkombëtar droge nga SPAK dhe autoritetet italiane, arrestohet në Shkozet i shumëkërkuari. Iu gjet armë dhe dokumente të falsifikuara

Një i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainë është arrestuar në Durrës. Lokalizmi dhe arrestimi tij është bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Qendrën Operative DIA të Bari në Shkozet më datën 2 korrik.
Në pranga përfundoi shtetasi A.Ç., i cili akuzohet si pjesë e një rrjeti të trafikut të heroinës e kokainës mes Shqipërisë, Italisë, disa vendeve të tjera të BE-së dhe Amerikës së Jugut.
Në momentin e arrestimit, ai kishte në zotërim një pistoletë automatike me dy karikatorë, si edhe katër dokumente të falsifikuara, mes tyre një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane. Sipas hetuesve, këto prova dëshmojnë lëvizjet e tij të shpeshta dhe lidhjet me Italinë.
Pas arrestimit, A.Ç. u shoqërua në ambientet e paraburgimit në Durrës, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të ekstradimit.
Shtetasi ishte në kërkim ndërkombëtar që prej operacionit “URA”, të zhvilluar më 21 maj 2025 nga autoritetet shqiptare, italiane dhe belge. Aksioni u zhvillua në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK dhe Drejtorisë Antimafia të Barit.
Operacioni “URA” çoi në ekzekutimin e 52 urdhërarresteve ndaj personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe vepra të tjera penale, si edhe në sekuestrimin e pasurive me vlerë disa milionë euro në Shqipëri dhe Itali.
Pas identifikimit të personave që kishin mundur t’i shmangeshin arrestimit gjatë operacionit, SPAK dhe autoritetet italiane zgjeruan hetimet në Durrës dhe në disa qytete të Italisë, duke bërë të mundur lokalizimin e A.Ç. në Shkozet, zonë që konsiderohet si qendra kryesore e grupit kriminal Troplini-Doçi, i cili dyshohet se vepronte mes Puglias, Shqipërisë dhe Holandës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




