I destinuar për te Teuta, Orges Shehi drejt rikthimit tek ekipi ku nisi karrierën

Me zyrtarizimin e largimit nga Ballkani, thuajse plotësohet “mozaiku” i rikthimit të trajnerit Orges Shehi në Superiore. Ka mbetur vetëm të mësohet se cila do të jetë skuadra e re e durrsakut, Teuta, Partizani apo ndonjë emër surprizë.
Të gjitha rrugët duket se e çojnë Shehin në qytetin e tij të lindjes. Në fakt, ai duhej ta kishte marrë drejtimin e Teutës që në verë, kur edhe adresoi disa ish-lojtarë të tij të firmosnin pikërisht te kjo skuadër, por në atë kohë kontrata me Ballkanin u bë pengesë.

Tashmë kjo pengesë nuk është më dhe trajneri durrsak mund të zgjedhë i lirë. Një tjetër indicie për uljen e Shehit në stolin e Teutës është se ai ka ndjekur nga afër dy ndeshjet e fundit të “Djemve të Detit”. Aktualisht Teuta drejtohet nga trajneri Enkeleid Dobi, por rezultatet e fundit dhe sidomos humbja në “Niko Dovana” me Partizanin, i kanë lëkundur ndjeshëm pozitat e tij.
Sapo u mësua lajmi se Orges Shehi kishte dhënë dorëheqjen nga Ballkani, përveç Teutës, u përfol edhe për një rikthim të mundshëm të tij te Partizani, por kjo gjë ka shumë pak gjasa të ndodhë. Trajneri duket i destinuar për të drejtuar skuadrën ku ka nisur karrierën si futbollist.
Orges Shehi e ka nisur karrierën si trajner te Skënderbeu, më pas ka drejtuar Kukësin, Tiranën dhe Partizanin në Superiore, ndërsa eksperiencën e fundit e pati te Ballkani në Kosovë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




