I nxehti rrit kujdesin për moshat e treta, më shumë kontrolle shëndetësore në Shkodër

Aktualitet | 4 muaj më parë

Këto ditë vere, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër i gjen brenda ambienteve të institucionit, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Disa zgjedhin të luajnë shah.

“Ne luajmë shah, luajmë domino, luajmë të kalojmë kohën me lojëra, të aktivizohemi, se kemi hyrë brenda. Kemi kondicionerët dhe i kemi të gjitha kushtet.”

Të tjerët çmallen me të afërmit nëpërmjet telefonit.

– Po flisje me vajzat, me mbesën?

– Po flisja me ato.

– Flet shpesh gjatë ditës?

– Po, po më marrin. Ose i marr edhe vetë.

– Çfarë thonë mbesat?

– “Mirë, o nënë, do të vijmë.” Hajde unë…

Drejtuesi i institucionit, Fatjon Hoxha, tregon se evitimi i daljeve, si dhe kontrollet e shtuara për shëndetin e tyre, vijnë si masa mbrojtëse në këto ditë me temperatura të larta.

“Nga Shërbimi Social Shtetëror kemi marrë të gjitha direktivat, të cilat duhet të zbatohen gjatë kësaj periudhe të nxehtë të verës, ku duhet të sigurojmë një ambient sa më të përshtatshëm dhe komod, të ajrosur për të moshuarit, me ambiente sa më të freskëta. Gjithashtu, po ndiqet edhe pjesa shëndetësore, e cila monitorohet nga grupi multidisiplinar, nën drejtimin e mjekes së institucionit. Në oraret e caktuara nuk duhet të ketë lëvizje të të moshuarve, pra ka kufizime në orare. Në orën 13:00 kemi drekën dhe, pas drekës, i kufizojmë të moshuarit të mos dalin deri në orët e pasdites, rreth orës 17:00”, tha ai.

Aktualisht, në Shtëpinë e të Moshuarve janë 65 banorë, të cilët marrin shërbim 24 orë.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme