IDF vret 30 palestinezë dhe plagos 300 të tjerë teksa prisnin ndihmat. I dërguari i SHBA, sot në Izrael

Botë | 1 vit më parë

30 palestinezë janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri nga IDF-ja, teksa ishin duke pritur për të marrë ndihmat humanitare.

Lajmi është komunikuar nga Ministrin e Mbrojtjes e Gazës, e cila bën me dije se 300 palestinezë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja vjen në një moment kur i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff do të vizitojë këtë të enjte (31 korrik) Izraelin dhe ku do të takohet me zyrtarët për adresimin e hapave të mëtejshëm për situatën në Gaza.

Ushtria izraelite tha se nuk kishte dijeni për viktima në incidentin në veri të qytetit të Gazës, ndërsa Kombet e Bashkuara thanë se pauzat në ofensivën e Izraelit kundër Hamasit nuk ishin të mjaftueshme për të ndihmuar popullsinë të kapërcente krizën e urisë që po thellohet.

Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, tha se katër ditë pas “pauzave taktike” të Izraelit, njerëzit ende po vdisnin nga uria dhe kequshqyerja, së bashku me viktimat midis atyre që kërkonin ndihmë.

Witkoff ka qenë i përfshirë në negociatat indirekte të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit. Diskutimet u ndërprenë javën e kaluar kur Izraeli dhe SHBA-të tërhoqën delegacionet e tyre nga Doha.

Vizita e tij vjen ndërsa Kanadaja ndoqi Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar kur njoftoi planet për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme