IEA, alarm për krizë nafte, thirrje për të ulur konsumin dhe punë nga shtëpitë
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka lëshuar një alarm urgjent duke kërkuar masa të menjëhershme për uljen e konsumit të karburantit pas krizës që ka shkaktuar lufta në Iran.
Ekspertët theksojnë se transporti zë pothuajse gjysmën e përdorimit global të naftës, prandaj çdo ndryshim në këtë sektor do të jepte efekte të shpejta në treg.
Ndër rekomandimet kryesore renditen ulja e shpejtësisë në autostrada, puna nga shtëpia dhe përdorimi i shtuar i autobusëve apo trenave.
“Edhe një ulje e thjeshtë me 10 kilometra në orë e shpejtësisë së mjeteve do të reduktonte ndjeshëm nevojën për karburant”, thuhet në raportin e fundit të agjencisë.
Gjithashtu, propozohet rikthimi i qarkullimit me targa çift dhe tek nëpër qytete si një mënyrë efikase për të shfryrë trafikun e rënduar.
Agjencia vëren se këto kufizime janë shumë më efektive sesa subvencionet e shtetit, të cilat shpesh nuk e zgjidhin rrënjën e problemit. Për të qetësuar tregjet, vendet anëtare kanë nisur tashmë nxjerrjen në shitje të rezervave strategjike të naftës bruto dhe asaj të rafinuar.
Ky vendim parashikon hedhjen në treg të rreth 426 milionë fuçive naftë me qëllim që të zbuteshin çmimet e larta në pikat e furnizimit.
“Synimi ynë është stabilizimi i tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve nga pasojat e rënda të konfliktit në Lindjen e Mesme”, bëjnë me dije zyrtarët e lartë të agjencisë.
Ndërkohë, mbetet në dorë të qeverive që të hartojnë plane konkrete për të zbatuar këto këshilla përpara se kriza energjetike të përshkallëzohet më tej, thuhet në njoftimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




