Igli Tare prek ëndrrën, De Biasi: Nuk e mendoja te Milani… për 10 milionë
Gianni De Biasi, ish-trajner i kombëtares në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, foli për emërimin e Igli Tares, si drejtor sportiv i AC Milan. De Biasi thotë se, Tare do të ketë sukses, në një realitet të rëndësishëm, si Milani.
Ai tregoi dhe batutën që kishte bërë me Taren, pas zgjedhjes së tij, duke i thënë se “nuk e mendoja kurrë, se për 10 milionë do të shkoje te Milani dhe qeshëm për këtë batutë”.
“Igli ka pasur një eksperiencë në Itali, si lojtar. Pastaj u ‘poq’ në një eksperiencë disavjeçare në Romë, ku ka arritur rezultate të mira, gjithashtu. Mendoj se do të arrijë të ketë sukses, në një realitet aq të rëndësishëm sa Milani, sepse ka të gjitha cilësitë që i nevojiten si vendosmëria, dëshira, njohjet për të arritur nivele të larta në një ekip. I dërgova mesazh dy-tri ditë përpara dhe i thashë që ‘nuk e mendoja kurrë, se për 10 milionë do të shkoje në Milan dhe qeshëm për këtë batutë”, tha ai.
Po ashtu, Gianni De Biasi tregoi dhe se, cilat ishin cilësitë që i shtynë drejtuesit e Milanit, të zgjidhnin Iglin dhe jo dikë tjetër.
“Është një djalë inteligjent që flet shumë gjuhë, ka një dituri që shkon përtej futbollit. Ai është një person që ka kulturë të përgjithshme, por që di dhe të punojë me trajnerin. Me dikë si Igli, për mua ka qenë shumë e lehtë të punoja“, – tregoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




