IKMT shemb objektin 3-katësh në Valbonë, Rama: Ndaloni këtë ‘sport’ të ulët, pasojat do të jenë të rënda

Aksioni qeveritar kundër ndërtimeve pa leje është shtrirë në Parkun Kombëtar të Valbonës, duke dërguar një sinjal të qartë se nuk do të tolerohen shkeljet në asnjë zonë të vendit, përfshirë malet.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot shembjen e një objekti trekatësh, me konstruksion betonarme, në kundërshtim me ligjin, brenda luginës së Alpeve.
Rama paralajmëroi fuqishëm të gjithë ata që vazhdojnë të ndërtojnë pa leje në hapësirat publike.
“Është e kotë, vetëm do të humbni lekë e kohë dhe pas vendimeve më të fundit të qeverisë, do të përballeni me pasoja të rënda,” theksoi kreu i qeverisë, duke iu referuar dënimeve të ashpra që parashikohen në Kodin e ri Penal.
Heqja e ndërtimeve të paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili ka nisur që në muajin korrik dhe synon rivendosjen e ligjshmërisë si bazë për zhvillimin e komuniteteve.
Qeveria po punon gjithashtu për një Rregullore të re Kombëtare për të përcaktuar qartë hapësirat që mund të shfrytëzohen nga bizneset, si dhe ka vënë në dispozicion Portalin “Hapësiraimepublike.gov.al” për denoncimin e rasteve abuzive nga qytetarët.
Deri më sot, në këtë portal janë raportuar 12,611 raste, nga të cilat 9,201 janë zgjidhur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




