Ina Majko zv.ministre, Rama: Spikati në skuadrën e 11 majit, vlerë e shtuar e PS 2030 në përfaqësimin e komuniteteve

Politikë | 1 vit më parë

Një ditë pas vendimit të qeverisë për zgjedhjen e Ina Majkos si zv.ministre të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama i cili e ka vlerësuar ish-kandidaten socialiste të qarkut Vlorë si një vlerë të shtuar të Parti9së Socialiste të 2030-ës, në përfaqësimin e komuniteteve e grupeve të ndryshme të interesit.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Rama deklaron se Ina Majko, ndonëse nuk mundi të siguronte dot një karrige në Kuvendin e ri, ka spikatur në skuadrën e PS-së, ndërsa thekson se zv.minidstrja është prurja e parë, e cila sikurse paralajmëroi Rama, pritet të pasohet nga të tjera në vijim të rrugës së re që hapën zgjedhjen e 11 majit.

“Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.

Ajo sapo është zgjedhur zëvendës ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.

Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.

Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, shkruan Rama.

Ina Majko u zgjodh një ditë më parë në postin e zv.ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ina Majko, ish-kandidate e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, garoi në listë të hapur në zgjedhjet e 11 majit, por nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme