Inaugurohet shtatorja e Baba Hekuranit, Kryegjyshi Botëror: Ditë reflektimi për të ruajtur vlerat e familjes dhe Kombit
Të dielën, më 7 shtator, u inaugurua shtatorja e Baba Hekuran Nikollarit, i cili u nda nga jeta e përkohshme në një moshë tepër të re.
Në teqenë e Alipostivanit në Përmet, qindra besimtarë bektashinj, personalitete të pushtetit vendor, deputetë dhe kryetarët e bashkive të qarkut të Gjirokastrës morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të kësaj vepre shpirtërore.
Shenjtëria e Tij, Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, vlerësoi kontributin e Baba Hekuranit dhe tha se rruga e misticizmit bektashian i ka rrënjët në familje dhe në vlerat kombëtare, të cilat janë edhe themelet e bektashizmit në Shqipëri.
“Është e veçantë edhe si skulpturë, por edhe si bazament. Dy luanët tregojnë Imam Aliun, siç quhej Mbreti i Shenjtorëve, edhe Luani i Perëndisë, prandaj i kanë bërë. I falënderoj duart e arta që kanë bërë një skulpturë të mrekullueshme. Edhe besimtarët janë të kënaqur që u realizua ëndrra e tyre. Ne gjithmonë do të mundohemi që besimtarët të kënaqen në vendet e mira ku vijnë, se siç thotë profeti Muhamed, kur ta ndieni veten gusht, drejtojuni vendeve të mira. Ata e dinë hallin tuaj. Pra, vendet e mira kanë qenë gjithmonë ndihmë ekonomike, shpirtërore, materiale; çdo gjë ka qenë bujare dhe në qendër të diturisë, kulturës, të gjithçkaje të mirë. Falënderojmë Zotin, falënderojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë shtatore të babait tonë të dashur. Zoti na qoftë në ndihmë të gjithëve në këto ditë të vështira që po kalojmë,” u shpreh Kryegjyshi Botëror.
Alipostivani, Teqeja e Frashërit dhe të gjitha tyrbet e kësaj treve kanë qenë vatrat ku u formësua Rilindja Kombëtare, ku klerikët patriotë dhe atdhetarë bektashinj qenë gjithnjë mbështetësit dhe burim frymëzimi i kësaj lëvizjeje të madhe, që mitizon Zotin me idealin e kombit.
Gjithnjë bektashinjtë udhëhiqen dhe prevalojnë me devizën e tyre: “Pa atdhe nuk ka fe”, duke promovuar dhe duke qenë gjithnjë flamurtarë të paqes dhe dashurisë njerëzore.
Gazetar: Norel Zaimi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




