Indeksohet baza e pensioneve me 9.3% për llogaritjen e re, ndryshim prek vetëm pensionet nga 1 janari 2025 e në vazhdim

Sociale | 1 vit më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar të pensioneve për vitin 2023, duke ndikuar në llogaritjen e pensioneve për të gjithë ata që do të dalin në pension duke filluar nga viti 2025.

Sipas këtij vendimi, baza e vlerësuar e vitit 2023 do të indeksohet me një koeficient prej 9.3%. Ky indeks do të aplikohet për të llogaritur bazën individuale vjetore, e cila përdoret më pas për të përcaktuar masën fillestare mujore të pensioneve.

Ky ndryshim prek vetëm pensionet me datë fillimi nga 1 janari 2025 e në vazhdim. Indeksimi bazohet në kontributet e paguara deri në fund të vitit 2023 dhe ka si qëllim të reflektojë ndryshimet ekonomike përpara se të llogaritet shuma fillestare e pensionit.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se, pas aplikimit të këtij indeksi, baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi për periudhën 1994-2001; paga maksimale në shkallë vendi për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen brenda buxhetit të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme