
Në mbledhjen e datës 01.04.2025, në mbështetje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, datë 22.12.2016 me Nr. 98/2016 “Për miratimin e Statutit të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH)” dhe Rregullores për Procedurën e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, të miratuar nga Këshilli Drejtues i RTSH me vendimin nr. 11, datë 01.04.2025, si dhe me vendimin nr. 13, datë 01.04.2025, Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar shpall thirrjen për garën e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.
Ftohen për paraqitjen e kandidaturave të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore të parashikuara në nenin 10 të Statutit të RTSH-së dhe nenin 3 të Rregullores për Procedurën e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, si vijon:
- të jetë shtetas/e shqiptar;
- të ketë kryer arsimin e lartë;
- një individ me ndjenjën më të lartë të integritetit, përgjegjësisë, kualifikimeve profesionale dhe meritave;
- të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet në pozicione menaxhimi në media, institucione publike (jo administratë), sektorin privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale;
- të dëshmojë njohje të sektorit publik audioviziv, misionin dhe zhvillimin e tij në përputhje me standardet europiane.
Për të dokumentuar plotësimin e kërkesave të mësipërme, kandidatët duhet të paraqesin në zarf të mbyllur (me shënimin nga jashtë zarfit “Kandidaturë për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH”), dokumentacionin sipas kritereve të shpallura, brenda 14 ditëve pas publikimit të kësaj thirrjeje, ku përfshihen:
a) Curriculum vitae të plotë;
b) Dëshmi penaliteti;
c) Platformë zhvilluese për Radio Televizionin Shqiptar, që përmban:
• Strukturën programore dhe organizative të sistemit të RTSH-së në përmbushje të Deklaratës së Qëllimit;
• Planin e menaxhimit për veprimtarinë prodhuese dhe financiare të këtij institucioni. Ky dokument duhet të jetë puna origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia 11, me një njësi hapësirë mes rreshtave;
d) Librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet në pozicione menaxhimi në media, institucione publike (jo administratë), sektorin privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale;
e) Vërtetim i gjendjes gjyqësore (Gjykatë, Prokurori);
f) Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të RTSH-së dhe bashkëlidhur këtij njoftimi për hapjen e garës për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH;
g) Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish–Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet në faqen zyrtare të RTSH-së dhe bashkëlidhur këtij njoftimi për hapjen e garës për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH;
h) Formular deklarimi papajtueshmërie dhe konflikti interesi, në përputhje me përcaktimet e nenit 104, pika 1, gërmat a) dhe b) dhe pika 2 të ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili gjendet në faqen zyrtare të RTSH-së dhe bashkëlidhur këtij njoftimi për hapjen e garës për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH;
i) Çdo dokumentacion tjetër që shërben për të vërtetuar kërkesat e mësipërme.
Kandidatët do t’i dorëzojnë dokumentet e tyre brenda 14 ditëve nga data e kësaj thirrjeje, deri në datën 15 Prill 2025 (brenda orarit zyrtar), në adresën:
RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR
Rruga “Ismail Qemali”, Nr. 11,
1001, Tiranë, Shqipëri
Ju bëjmë me dije se, në mbështetje të nenit 104 të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së nuk lejohet:
a) Të jetë anëtar i partive dhe shoqatave politike, kandidat për deputet apo të jetë zgjedhur i tillë gjatë 2 legjislaturave të fundit, të ketë konkurruar për kryetar të njësive vendore në zgjedhjet e fundit të organizuara për to, apo të ketë ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, anëtarit të Këshillit të Ministrave apo të prefektit gjatë 3 vjetëve të fundit, si dhe ata që janë anëtarë të Këshillit të Ankesave, AKEP-it apo punonjës të këtij të fundit;
b) Të jetë person i lidhur, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” ose që ka në pronësi pjesë kapitali apo aksione të shoqërive tregtare, si dhe të drejta të tjera në fushën e transmetimeve audiovizive, reklamës, prodhimeve të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive, rrjeteve të komunikimit elektronik, apo të jetë person i lidhur me ndonjë licencë të dhënë për këto subjekte, si dhe të ketë pasur kontakte me persona të punësuar gjatë vitit të fundit, anëtarë të organeve drejtuese apo këshilluese të këtyre subjekteve;
c) Të kryejë ndonjë detyrë, veprimtari fitimprurëse ose të jetë i lidhur në ndonjë marrëdhënie punësimi të dytë gjatë kohës që është në detyrë;
d) Të zgjidhet nga radhët e Këshillit Drejtues të RTSH-së;
e) Të marrë udhëzime nga një grupim apo parti politike.
Kandidatët që do të plotësojnë kriteret do të ftohen të paraqesin platformat e tyre para Këshillit Drejtues, jo më vonë se 5 ditë nga data e përfundimit të afatit të kësaj thirrjeje.
Kandidatët do të kenë në dispozicion 15 minuta për të paraqitur platformën e tyre dhe 15 minuta për pyetje.
Seancat dëgjimore me kandidatët janë të hapura për median.
Pas prezantimit, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje kandidatit.
Pyetjet do të përqendrohen në vizionin dhe kompetencën e kandidatit:
- Për rritjen e cilësisë së shërbimit publik të RTSH-së në shërbim të kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë edhe pakicat kombëtare;
- Për rritjen e audiencës, duke zbatuar vlerat themelore të gjithëpërfshirjes, besueshmërisë, diversitetit, llogaridhënies, inovacionit dhe paanshmërisë.
Anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH duhet të shmangin komunikimet jozyrtare mes tyre, duke filluar nga data e shpalljes së kësaj thirrjeje deri në ditën e përfundimit të procesit për vlerësimin e kandidatëve.
Procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes do të bazohet dhe do të respektojë parimin e transparencës, mundësive të barabarta, meritokracisë dhe mosdiskriminimit, bazuar në legjislacionin në fuqi.
Këshilli Drejtues do të zgjedhë me votim të fshehtë Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së për një periudhë 5-vjeçare, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.
Këshilli Drejtues do të shpallë me vendim kandidatin fitues dhe do ta bëjë atë menjëherë të njohur për publikun.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



