Integrimi i personave me aftësi të kufizuara, historia e Leonardit nga Shkodra i cili prej 8 vitesh punon në një fasoneri

Sociale | 8 muaj më parë

Leonard Kumbulla, 30 vjeç, është një person me aftësi të kufizuara dhe pjesë e projektit “Shpresa”. Prej tetë vitesh ai është i integruar në tregun e punës, duke punuar në një fasoneri në qytetin e Shkodrës. Leonardi tregon se me kalimin e kohës është ambientuar shumë mirë me punën që bën dhe me kolegët e tij. Ai shprehet se ndihet i vlerësuar dhe i përfshirë në ambientin e punës, ndërsa puna i ka dhënë më shumë pavarësi dhe besim në vetvete.

“Bëhen 8 vite në këtë punë. Më trajtojnë shumë mirë te puna”, shprehet ai.

Punonjësja sociale e projektit “Shpresa”, Nora Banda, shprehet se projekti ka arritur të integrojë në tregun e punës një numër të konsiderueshëm personash me aftësi të kufizuara. Sipas saj, aktualisht rreth 13 djem dhe vajza janë të punësuar në kompani të ndryshme, ku punojnë me orare të reduktuara, në varësi të mundësive dhe aftësive të tyre.

“Një prej pikave kyçe është edhe integrimi social, shëndetësor i këtyre përfituesve. Pjesa më e madhe janë të punësuar në fasoneri, por kemi edhe në restorante, fabrikat e prodhimit të pijeve. Kemi 13 persona, djem dhe vajza të përfshirë”, tha ajo.

Nëpërmjet projekteve të tilla shumë persona me aftësi të kufizuara po arrijnë të integrohen në tregun e punës dhe të bëhen pjesë aktive e komunitetit.

Gazetar: M. Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme