Integrimi në BE, Gonzato: Projekti është mbarëshoqëror, kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe të qytetarëve
Shqipëria po hyn në një fazë të rëndësishme, thelbësore të anëtarësimit, ndërsa po vijon me hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave. Për këtë arsye kërkohet përmbushje e plotë e reformave dhe përshtatje me legjislacionin evropian.
Për ambasadorin e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, urgjenca e reformave nuk duhet të jetë në kurriz të cilësisë, pasi sipas tij, integrimi në familjen e madhe evropiane nuk është një listë detyrash për t’u shënuar.
“Anëtarët e BE presin që Shqipëria të arrijë një zbatim konsistent dhe në kohë të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët në jetën e përditshme. Siç shprehet Komisioni Evropian në Progres-Raport, integrimi është një projekt mbarëshoqëror dhe duhet të ketë autorësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, qytetarëve, shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale. Që kjo zgjedhje të bëhet realitet, duhet mbështetur nga legjitimiteti demokratik dhe konsensusi i gjerë politik e shoqëror,” tha Gonzato.
Integrimi evropian dhe angazhimi i Shqipërisë mbeten projekte madhore kombëtare. Për nënkryetarin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Taulant Balla, vendi ynë sot është më i angazhuar se kurrë.
“Integrimi evropian mbetet rruga jonë strategjike dhe qëllimi ynë i përbashkët për një Shqipëri më të fortë në një Evropë të bashkuar”, tha Balla.
Ndërsa për kryeparlamentarin Niko Peleshi, integrimi është një proces gjithëpërfshirës që kërkon angazhimin e shoqërisë në çdo nivel.
“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së është i pandalshëm. Shqiptarët kanë parë drejt Evropës dhe ne po punojmë për ta bërë realitet anëtarësimin. Integrimi nuk dhurohet, por është rezultat i reformave dhe i shumë punës. Po, jemi të përgatitur”, tha Peleshi.
Komentet, zyrtarët e lartë i bënë gjatë nisjes së edicionit të 10-të të Shkollës së Integrimit Evropian.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




