Inteligjenca artificiale DeepSeek e Kinës, Trump: Nxitje për firmat e teknologjisë amerikane

Botë | 2 vite më parë

Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se modeli kinez i inteligjencës artificiale me kosto të ulët DeepSeek është një thirrje zgjimi për firmat amerikane, pasi lëshimi i atij programi tronditi tregjet e aksioneve dhe nxiti debate mbi konkurrencën ekonomike dhe gjeopolitike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale. 

“Shpresojmë që prezantimi i inteligjencës artificiale DeepSeek nga kompania kineze të jetë një thirrje zgjimi për industritë amerikane. Ne duhet të jemi të përqendruar për të konkurruar dhe fituar” – tha Trump nga Majemi.

Ai theksoi se nuk ishte i shqetësuar për këtë çështje, duke shtuar se “SHBA do të mbetet një lojtar dominues në këtë fushë”.

Ajo që ka tronditur këtë industri  është pretendimi i DeepSeek se modeli i tij R1 është bërë me kosto më të ulët se programi rival i tij Chat GPT.

DeepSeek është bërë aplikacioni falas më i shkarkuar në SHBA vetëm një javë pasi u prezantua.

Kompania u themelua në vitin 2023 nga 40-vjeçari Liang Wenfeng në Hangzhou, një qytet në Kinën juglindore.

Ndërkohë lidhur me TikTok, presidenti amerikan tha se Microsoft është në diskutime për të blerë aplikacionin e medias sociale, ndërsa ai do të donte të shihte një “lumë ofertash” pasi ka interes të madh nga disa kompani për blerjen e tij.

Lidhur me mbrojtjen, Trump tha gjithashtu se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të filluar ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes ajrore “Iron Dome” për Shtetet e Bashkuara, si ai që Izraeli ka përdorur për të kapur mijëra raketa.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme