Intensifikohen sulmet, dronët ukrainas godasin rafineritë ruse

Gjatë natës, dronë ukrainas goditën një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rajonin e Leningradit në Rusi. Guvernatori i këtij rajoni njoftoi se tre dronë u shkatërruan në zonën e Kirishit dhe se një zjarr i shkaktuar nga rënia e mbeturinave të tyre ishte shuar, ndërsa shtoi se nuk pati të lënduar.
Komanda Ajrore e Ukrainës konfirmoi goditjen ndaj rafinerisë ruse, duke e quajtur sulmin të suksesshëm. Mediat ukrainase raportuan se u godit edhe një impiant kimik në rajonin Perm, 1800 kilometra larg kufirit ukrainas. Rafineria në qytetin Kirishi ka një kapacitet rafinimi prej mbi 10 milionë ton naftë në vit dhe prodhon një gamë të gjerë produktesh duke përfshirë benzinë, naftë dhe karburant për avionët.
Rusia tha se më shumë se 80 dronë ukrainas u shkatërruan gjatë natës. Ndërkaq Rumania ka raportuar për shkelje të hapësirës së saj ajrore nga dronët rusë, disa ditë pasi shteti tjetër i NATO-s, Polonia rrëzoi disa mjete të tilla ushtarake në hapësirën e saj ajrore. Ministria e Jashtme rumune tha se do t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të trajtojë çështjen e dronëve rusë, ndërsa Këshilli i Sigurimit të OKB do të mblidhet për të diskutuar sulmin rus në Poloni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




