Investimet në Banjat e Bënjës, Rama: E kthen zonën në një skenë të madhe të turizmit dhe kulturës

Aktualitet | 4 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka ftuar qytetarët të vizitojnë Bënjën dhe Përmetin, duke vlerësuar investimet e kryera në zonën e ujërave termale, të cilat, sipas tij, kanë transformuar një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga atmosfera festive në Bënjë, ndërsa theksoi se zona tashmë është shndërruar në një oaz natyre, turizmi dhe aktivitetesh kulturore.

“Banjat e Bënjës mbrëmë, me energjinë e festës që ndezi këtë oaz natyre e turizmi, ku deri dje ankoheshim, me të drejtë, se s’kishe ku të ecje e as ku të uleshe. Sot festa vazhdon, prandaj ejani në Bënjë dhe ejani në Përmet çdo fundjavë, sepse çdo fundjavë do t’ju lindë dëshira të ktheheni sërish”, shkruan Rama.

Investimet e realizuara, skena natyrore dhe infrastruktura e re e Bënjës do të shërbejnë si një hapësirë e madhe për aktivitete kulturore, artistike dhe promovuese, ku nuk do të mungojnë koncertet, artistët dhe muzika karakteristike përmetare.

Prej muajsh, zona e Ujrave Termale të Bënjës ka qenë në proces rikualifikimi, në kuadër të një projekti të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Investimi ka përfshirë ndërtimin e rrugëve të reja të aksesit, mjediseve të reja të shërbimit, si dhe hapësirave rekreative për pushim dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore e promovuese të traditës dhe produkteve vendase.

Sipas autoriteteve, të gjitha ndërhyrjet janë realizuar me materiale në harmoni me natyrën dhe në përputhje me peizazhin karakteristik të zonës, duke ruajtur vlerat natyrore dhe historike të një prej destinacioneve më të veçanta turistike në jug të Shqipërisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme