Irani kërcënon SHBA-në: Në rast të një sulmi amerikan, do të godasim bazat e tyre në rajon

Botë | 9 muaj më parë

Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Aragchi paralajmëroi se Irani do të sulmojë bazat amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme, nëse Uashingtoni synon territorin iranian. “Nëse sulmohemi, ne do të shënjestrojmë bazat amerikane në rajon”. – u shpreh ai gjatë një interviste për rrjetin Al Jazeera.

Ndërsa të premten në Oman u mbajtën negociatat indirekte, Aragchi tha se Teherani dhe Uashingtoni ranë dakord që bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti. Ai u shpreh se Teherani është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje, por shtoi se çështjet që lidhen me programin raketor të Iranit dhe pasurimin e uraniumit ishin të panegociueshme.

“As tani e as në të ardhmen nuk mund të ketë negociata për raketat, sepse kjo është një çështje e mbrojtjes” – nënvizoi kryediplomati iranian. Ai kritikoi atë që cilesoi si një doktrinë dominimi që i lejon Izraelit të zgjerojë arsenalin e tij ushtarak, ndërkohë që u bën presion vendeve të tjera në rajon që të çarmatosen.

Komentet e Aragchit erdhën një ditë pasi me ndërjetësimin e Omanit, delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedimet e para që nga sulmet amerikane në qershor të vitit të kaluar. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se diskutimet ishin shumë të mira dhe palët do të takohen sërish javën e ardhshme, ndërsa vetë kryediplomati iranian i quajti një fillim i mirë.

“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”- u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon tarifa dytësore me vlerë 25% ndaj vendeve që importojnë mallra nga Irani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme