Iranianët i japin lamtumirën e fundit Ali Khameneit në Teheran, Izraeli kërcënon pasardhësin e tij

Iranianët pritet t’i japin lamtumirën e fundit Udhëheqësit Suprem të ndjerë, Ali Khamenei, në një ceremoni mortore tre-ditore që do të mbahet në kryeqytetin iranian.
Sipas mediave shtetërore iraniane, homazhet do të zhvillohen në kompleksin e madh të lutjeve në Teheran, ku mijëra mbështetës pritet të mblidhen për të nderuar figurën që drejtoi vendin për dekada me radhë. Procesioni i varrimit do të njoftohet pas përfundimit të ceremonive përkujtimore.
Vrasja e Khameneit, 86 vjeç, raportohet se ndodhi gjatë sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite ndaj objektivave në Teheran. Sipas burimeve ushtarake izraelite, në sulme humbën jetën edhe disa anëtarë të lartë të sigurisë iraniane, si dhe persona nga rrethi i tij i afërt.
Ngjarja shënon një përshkallëzim të paprecedentë të tensioneve në Lindjen e Mesme. Sulmet, të cilat thuhet se u mbështetën nga inteligjenca amerikane dhe izraelite, kanë shtuar frikën për destabilizim të mëtejshëm në rajon.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se çdo udhëheqës iranian që do të zgjidhet për të pasuar Khamenein dhe që do të vazhdojë politikat armiqësore ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij, do të konsiderohet objektiv i mundshëm ushtarak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




