Irena Gjoka caktohet si gjyqtare për seancën paraprake të dosjes së Ilir Metës
Shorti ka përcaktuar Irena Gjokën si gjyqtare të seancës paraprake për dosjen e Ilir Metës.
Dosja përfshin tri hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror. Më 29 gusht, SPAK konfirmoi akuzat ndaj ish-presidentit Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Ndërkaq më 8 shtator do të zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit të Posaçëm për shqyrtimin e ankimit të ish-presidentit Meta lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur ndaj tij. Seanca gjyqësore do të drejtohet nga gjyqtarja Igerta Hysi.
Ankimi i Metës vjen pas vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, i cili refuzoi kërkesën e ish-presidentit për zëvendësimin me një masë më të lehtë sigurie. Sipas vendimit të mëparshëm, gjyqtari Çela argumentoi se Meta mund të ndikojë në prishjen e provave ose të intimidojë dëshmitarët në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej arrestimit më 21 tetor 2024.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




