Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula kundër Berishës: Partia Demokratike po i bojkoton zgjedhjet, nuk gjen dot kandidat serioz

Politikë | 1 vit më parë

Vendimi i lidershipit të Partisë Demokratike (PD), i drejtuar nga Sali Berisha, për të propozuar figura nga shoqëria civile dhe jo nga radhët e partisë në gjashtë bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale më 9 Nëntor, ka shkaktuar reagime brenda opozitës.

Një nga kritikat më të ashpra erdhi nga ish-deputeti i PD-së, Dashnor Sula, i cili akuzoi drejtpërdrejt lidershipin për “bojkotim të zgjedhjeve”.

Sula: “E humbe garën në tavolinë”

Në një postim të plotë në rrjetet sociale, shoqëruar edhe me një foto nga forumet larta të PD-së, Sula shpjegon arsyet pse vendimi i Berishës është, sipas tij, “një strategji e dështuar ose djallëzore”. Ai thekson se një kandidaturë jashtë partisë nuk angazhon dot strukturat.

“Me një kandidaturë jashtë radhëve të PD nuk të angazhohet asnjë strukturë e partisë në fushatë dhe praktikisht e humbe garën në tavolinë.”, shkruan Sula.

Sipas tij me këtë skemë përgatitet edhe alibia e humbjes.

“Lidershipi po përgatit argumentin paszgjedhor se nuk është problemi te Drejtuesit e PD, por te regjimi, për të mbajtur statukuonë edhe pas 9 Nëntorit. Nëse kandidatura propozohet nga partitë e reja, Partia Demokratike humbet titullin e partisë kryesore në opozitë“, thotë ish-deputeti.

Sula theksoi se vendimi për të kërkuar kandidat jashtë radhëve të partisë është një sinjal i rëndë i krizës së burimeve njerëzore brenda PD.

“Në Partinë Demokratike, drejtuesit duhet të ishin në siklet se kë të zgjidhnin mes emrave nga radhët e veta dhe jo të shpallin thirrje publike ofrojmë vend pune kandidat për Bashkinë e Tiranës,” shkruan Sula.

Ai përfundon postimin me një shqetësim pesimist, duke sugjeruar se partia “nuk gjen dot një kandidaturë serioze nga radhët e veta që të mos dalë me një rezultat qesharak,” pasi PD-ja, sipas tij, “e ka humbur kontaktin me anëtarët, qytetarët dhe realitetin.“

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme